Ish kryetari i KQZ Kristaq Kume ka qenë i pranishëm në konferencën online që është thirrur nga presidenti Meta me shoqërinë civile, për organizimin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

Kume tha se duhen marrë seriozisht problemet që mund të shkaktojë pandemia, sidomos në uljen e numrit të qytetarëve që marrin pjesë në votime. Kume tha se mohimi i mundësisë së emigrantëve për të votuar është një shenjë negative për nivelin e demokracisë dhe pjesëmarrjes në vendin tonë.

“Falenderoj Presidentin Meta për insiativën dhe angazhimin e marrë për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të ndershme. Ky proces do të jetë një test tepër i rëndësishëm për demokracinë, ndaj të gjithë duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë në vendin tonë. Pres që një pjesë e mirë e fenomeneve që atakonin standardet e zgjedhjeve, nuk do të shfaqen, si rezultat i ndryshimit ligjor të realizuar dhe angazhimit tonë të përbashkët.

Lidhur me problemet që do shkaktojë pandemia, duhet parë me shumë seriozitet, sa i takon marrjes së masave për të garantuar pjesëmarrjen sa më të lartë të zgjedhësve në proces.

Shoh mundësinë e një keqpërdorimi të votës së emigrantëve. Fakti që nuk është realizuar kjo e drejtë, kjo nuk flet për mirë. Edhe ju z.President i keni bërë thirrje qytetarëve për të trajtuar problemin e kartave të identitetin, që duhet vlerësuar maksimalisht, nëpërmjet një fushate sensibilizuese.

Është me rëndësi të angazhohemi të gjithë për të garantuar një proces zgjedhor me standarde, për të mbrojtur çdo votë dhe për të ndaluar qysh sot çdo përpjekje për ta prekur atë“, u shpreh Kume gjatë mbledhjes që po zhvillohet online, në respektim të masave anticovid.

(E.K/Faxweb.al)