Pas rënies sistematike, të papunët afatgjatë pësuan rritje të ndjeshme në tremujorin e dytë të vitit.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në totalin e të papunëve 68.8% e tyre ishin të papunë afatgjatë.

Sipas përcaktimeve të INSTAT të papunë afatgjatë janë personat që kanë qenë të papunë për një vit ose më shumë. Këto janë persona e papunë që kanë kërkuar punë për një vit ose për një kohë më të gjatë ose që janë larguar nga puna e tyre e fundit para një viti ose më shumë se një viti.

Informacioni për të papunët afatgjatë gjenerohet nga Anketa e Forces të Punës.

INSTAT raportoi në tremujorin e dytë të vitit 2021 personat e papunë afatgjatë në totalin e të papunëve u rriten me rreth 12 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë te vitit.

Historikisht mbi gjysma e papunëve vuajnë nga mungesa e një pune me pagë për më shumë se një vit.

Treguesi kishte ardhur në rënie vitet e fundit nga 70 % në tremujorin e katërt 2017 në 56.2% në tremujorin e parë 2021. Por në tremujorin e dytë të papunët afatgjatë u rritën shpejt dhe më së shumti i takojnë sektorit bujqësor.

Treguesit e punësimit në sektorin e biznesit u përmirësuan këtë vit, por bujqësia ka shfaqur dobësi.

Pandemia Covid-19 e ka ndikuar dinamikën në tregun e punës. Grupet më të ekspozuara ndaj papunësisë ishin të rinjtë dhe punonjësit sidomos në tregun informal të punës që nuk patën mundësi të përfitojnë nga paketat e ndihmës.

Veç të tjerash pandemia e përkeqësoi eficensën e hallkave të ndërmjetësimit në tregun e punës. Bizneset në të gjithë sektorët, por sidomos prodhimi dhe ndërtimi po vuajnë mungesën e punonjësve, ndërsa në disa qarqe të vendit vuajnë norma të larta të papunësisë.

Në tremujorin e dytë 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart është 11,6 %. Niveli i papunësisë u ul me 2,5 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020 dhe me 1,9 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,0 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0,9 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm rritet me 1,5 pikë për qind./B.Hoxha