Kompanitë me kapital të huaj transferuan në 9 muaj të këtij viti 379 milion euro fitime jashtë vendit, duke mbajtur një trend të ngjashëm me vitet e tjera pavarësisht pandemisë.

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria-s, thotë se tipologjia e këtyre kompanive që kanë krijuar fitime të tilla është e pozicionuar në situata monopolesh dhe sektorësh strategjikë, ndërsa shprehet se autoritetet duhet të marrin masa që të ndalojnë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm transferimin e fitimit.

“Janë para që gjenerohen nga sektorë strategjikë apo kontrata monopolesh dhe janë para të shqiptarëve. Duhet që minimalish këtë vit pandemie dhe vitin e ardhshëm të ndalohet transferimi i fitimit”, thotë Gjergj Buxhuku.

Konfindustria kërkon që qeveria të mos mbajë një tatim të ulët në 8% të taksimit të dividentit që çohet jashtë, ndërsa kjo duhet të jetë stimuluese për kompanitë që riinvestojnë fitimin e tyre.

“Tatimi i dividentit është njësoj si për kompanitë që mbajnë fitimin e tyre dhe e investojnë në Shqipëri dhe për ato që e transferojnë jashtë vendit. Në këtë histori del e humbur vetëm ekonomia shqiptare”, shton ai.

Vetëm në periudhën Korrik- Shtator janë transferuar 121 milion euro fitime jashtë vendit, ndërsa fitimi i investuar në ekonomi rezultoi 6 milion euro.