Ikona e festave të fundvitit, vera e ngrohtë më e lirë se asnjëherë
Një ndër motorët më të fuqishëm të Europës detyroi gjermanët që ta kalojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në shtëpi për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19.
Vendimi hyn në fuqi të mërkurën, por kjo nuk i ndal ata që të konsumojnë për pak ditë verën më të famshme që shitet në tregun e Krishtlindjeve.
“Gluehwein” ose verë e nxehtë është elementi kryesor për periudhën festive që zakonisht shërbehet në gota të njëjta si ato të birrës.
Dikur sheshet kryesore në Gjermani gjatë këtij muaji ishin të tejmbushura me turistë nga e gjithë bota, por edhe vendas të cilët konsumonin verën e famshme. Por në bazë të rregullave të reja konsumimi i alkoolit në natyrë do të ndalohet sapo karantina e dytë të vihet në zbatim.
Të gjithë ata që e sheklin këtë rregull do të gjobiten. Në qytetin Rothenburg ob der Tauber, vera e nxehtë “Gluehwein” kishte një çmim shumë të lirë kjo edhe për shkak të mungesës së turistëve.
Ajo ofrohej nga disa shtëpiza druri, ku njerëzit si fillim dezinfektonin duart përpara se t’a merrnin. Kancelarja Merkel ka deklaruar se masat janë të domosdoshme për të frenuar ritmet e përhapjes, duke penguar grumbullimet festive që shtojnë shifrat e infektimeve për të shmangur kolapsin e sistemit shëndetësor.
Qeveria ka parashikuar edhe një paketë ndihme deri në 500 mijë euro për bizneset e dëmtuara nga këto masa. Izolimi i dytë kombëtar do të zgjasë deri në 10 Janar.