Në vigjilje të Pashkëve, një prej festave më të rëndësishme të kalendarit të të krishterëve, Papa Françesku bëri thirrje për vendosjen e një armëpushimi në Ukrainë, për t’i hapur rrugën paqes përmes negociatave të vërteta.
“Le të fillojë armëpushimi i Pashkëve. Por jo për të siguruar më shumë armë dhe për të rimarrë betejën, një armëpushim që do të çojë në paqe, nëpërmjet negociatave të vërteta” tha Ati i Shenjtë në meshën e mbajtur në sheshin e Shën Pjetrit.
Papa denoncoi më tej luftë ku civilët e pambrojtur pësuan masakra të tmerrshme dhe mizori. Ai më herët ka shprehur gatishmërinë e tij për të kontribuar në ndalimin e luftimeve në Ukrainë dhe ka deklaruar se do të ishte gati të udhëtonte në Kiev.