Ka ndërruar jetë rreshtorja Nicole Gee e cila vetëm pak ditë më parë bëri xhiron e botës në rrjetet sociale.
Ushtarja 23-vjeçarja postoi në llogarinë në Instagram një fotografi e cila pozonte me uniformë teksa në krah mbante një foshnjë afgane. Tani emri i saj është në listën tragjike të 13 trupave amerikane të vrarë në sulmin e së enjtes në Aeroportin Karzai në Kabul.
“Ajo ishte një luftëtare, punonte e frymëzuar nga Zoti. Gjithmonë duke kërkuar gra dhe fëmijë afganë në turmë, për t’i ndihmuar të largoheshin nga vendi”. Kështu e përshkruan kapitenia Karen Holliday në faqen e saj personale në Facebook. Duke kujtuar – dhe me hidhërim – se si një fotografi tjetër ku Gee shoqëron disa vajza në aeroplan, për t’u siguruar që ato janë të sigurta, kishte nxitur shumë komente seksiste ditët e fundit, që e kishin lënduar rreshteren.