Ambasadorja Yuri Kim ka takuar sot kryeministrin Rama, pak para vizitës së tij në Uashington. Sipas njoftimit të ambasadës amerikane Kim ka diskutuar gjatë takimit dhe për tensionet në Ukrainë duke përshëndetur mbështetjen e Shqipërisë përballë agresionit rus.
Mësohet se po ashtu është diskutuar mbi forcimin e institucioneve demokratike, dhe rritjen e bashkëpunimit tregtar mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Njoftimi i plotë i Ambasadës:
“Ambasadorja Kim u takua sot me kryeministrin Rama përpara vizitës së tij në Uashington DC. Ajo përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të janë krenare që do të punojnë me Shqipërinë si “bashkë-penëmbajtëse” për Këshillin në çështjet e Ukrainës.
Ambasadorja Kim nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin. Ata biseduan gjithashtu mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies sonë në mbrojtje, dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Shqipërisë.”