Kanadezët kanë risjellë në pushtet një qeveri identike me të kaluarën, duke ia besuar kryeministrit Trudo drejtimin e shtetit por jo shumicën parlamentare.
Kanadaja do të ketë një tjetër qeveri liberale me kryeministrin aktual, Xhastin Trudo, në krye të saj.
Partia Liberale fitoi të hënën 157 mandate në zgjedhjet e parakohshme që kryeministri Trudo kishte thirrur për të testuar mbështeteshin për politikat ekonomike dhe masat kundër pandemisë.
“I shoh kanadezët të përbashkuar – të vendosur për t’i dhënë fund kësaj pandemie, për luftuar për klimën, për kujdesjen e fëmijëve me 10 dollarë në ditë, për shtëpitë e klasës së mesme, dhe për udhëtimin e përbashkët drejt pajtimit,” u shpreh kreu i qeverisë në mbyllje të votimeve.
Liberalët e Trudosë, megjithatë, nuk e siguruan dot shumicën e nevojshme për të qeverisur të vetëm, duke dalë me një rezultat ngjashëm si në vitin 2019.
Vota popullore i shkoi konservatorëve të Erin O’Tullit me gati 34 për qind, ose 2 për qind mbi liberalët, dhe të tretët për mandatet u renditën federalistët e Kebekut.
Partia e Re Demokratike dhe të Gjelbrit pritet t’i vijnë në ndihmë liberalëve me 28 votat e tyre, për t’i ndihmuar të kapin pragun prej 170 votash në parlament.
49-vjeçari Trudo erdhi në pushtet në vitin 2015 dhe ka premtuar miliarda dollarë shpenzime qeveritare për ta rimëkëmbur Kanadanë nga dëmet ekonomike që i ka shkaktuar pandemia.