Me 7 vota pro nga 11, komisioni hetimor për Covid, i parlamentit brazilian miratoi përfundimet e një hetimi i cili rekomandon akuza për presidentin Bolsonaro. Janë 9 krimet për të cilat ai akuzohet për menaxhimin e emergjencës së pandemisë, mes të cilave dhe krime kundër njerëzimit.
Raporti akuzon qeverinë se ka ekspozuar qëllimisht brazilianët ndaj infektimit masiv. Përveç presidentit Bolsonaro janë akuzuar dhe 80 persona të tjerë, mes të cilëve ministra të ndryshëm, ish ministra, kompani dhe tre fëmijët më të rritur të presidentit, të gjithë zyrtarë.
Presidenti, popullariteti i të cilit sipas sondazheve është gjithnjë e më shumë në rënie, vijon të mohojë çdo akuzë. Një javë më parë ai u shpreh se ka bërë gjënë e duhur që nga fillimi. Komisioni hetimor e akuzon gjithashtu se ai qëllimisht vendosi të mos marrë masat e duhura kundër koronavirusit, duke synuar imunitetin e tufës, një strategji shumë e rrezikshme.
Por akuzohet dhe për vonesën e qëllimshme në blerjen e vaksinave, duke promovuar mjekimin me Hidrosiklorikinë, gë që pati pasoja tragjike për popullsinë. Akuza e fundit ka të bëjë me faktin se nuk ka furnizuar me oksigjen popullsinë e Amazonës e cila pësoi shumë humbje jete nga Covid-19.
Në përfundim të votimit, u mbajt 1 minutë heshtje për 606 mijë brazilianët që kanë humbur jetën si pasojë e Covid 19.