Kuvendi i Serbisë do të rifillojë punimet sot pas tensioneve dhe kaosit që pushtoi sallën parlamentare ditën e djeshme, teksa kjo e fundit u mbush nga tymi dhe gazi lotsjellës në përplasjen e ashpër mes opozitës dhe mazhorancës së presidentit Aleksandar Vuçiç.

Sipas mediave në Serbi, në hyrjen e parlamentit janë shtuar masat e sigurisë, ndërsa deputetët e opozitës nuk kanë qenë prezentë.

Kryeparlamentarja Ana Brnabiç ka vendosur të nisë punimet teksa në sallë ishin 123 deputetë nga 250 që është totali. Deputetët pritet të diskutojnë për dhjetëra pika të rendit të ditës.

Mes tyre janë ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë që do të plotësonte një nga katër kërkesat e studentëve në bllokadë.

Zyrtarisht nuk është bërë e ditur dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç, por kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, ka bërë të ditur se do të diskutohet pas përfundimit të debatit për të gjitha pikat e punës së ditës.

Vuçeviç dha dorëheqjen e tij të parevokueshme pas sulmit ndaj studentëve në Novi Sad natën e 28 janarit.

Dorëheqja erdhi tre muaj pas shembjes së një tende në Novi Sad, duke vrarë 15 persona, një valë protestash të përditshme dhe bllokada studentore në të gjithë vendin.

Deputetët e opozitës njoftuan në fillim të seancës se “qeveria është në dorëheqje dhe nuk mund të propozojë ligje” dhe se të vetmet që duhet diskutuar janë kërkesat e studentëve dhe dorëheqja e kryeministrit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në ndërkohë ka përmendur disa herë afate për formimin e qeverisë së re apo zgjedhje të parakohshme.