Partizani triumfon në Superkupën e Shqipërisë, me kryeqytetasit që fituan minimalisht 1-0 përballë Egnatias në Arenën Kombëtare, duke koleksionuar kështu trofeun e katërt në histori.
Dy skuadrat më në formë të momentit në Shqipëri diskutuan trofeun e fundit për vitin 2023 në një ndeshje që prodhoi raste, emocione por edhe gabime, sepse nga një i tillë u vendos kjo përballje.
Kampionët e Shqipërisë dhe fituesit e Kupës së Shqipërisë zbritën në fushën e lojës me formacionet e tyre më të mira, teksa pjesa e parë foli më shumë për Partizanin, me Tedi Carën që provoi të gjente portën e rrogozhinasve në minutën e 13-të.
Isgandarli kishte mundësinë për të kërcënuar kuadratin e kryeqytetasve, por ky i fundit gaboi në goditje, ndërsa “Të Kuqtë” rrezikuan me kalimin e minutave me anë të Bintsouka në dy momente.
Pak përpara fundit të fraksionit të parë, në minutën e 38-të, në një rivënie fundore, Alen Sherri që vetëm pak orë më parë fitoi çmimin “Portieri Vitit” gaboi rëndë duke i dhënë mundësinë ideale “Topit të Artë” të këtij viti, Arinaldo Rrrapajt, me këtë të fundit që dhuratën e shfrytëzoi në maksimum dhe realizoi golin e avantazhit me portën e boshatisur.
Një moment që ndryshoi humorin e takimit, me Egnatian që kërkoi të reagonte në minutën e parë të shtesës, por goli rezultoi mision i pamundur.
Pjesa e dytë nisi përsëri me ritmin që u mbyll fraksioni i parë, ndërsa këto 45 minuta folën diçka më shumë për skuadrën e Tetovës që provoi të gjente golin e barazimit në disa momente.
Në minutën e 72-të, Fernando kishte mundësinë më të mirë për të gjetur golin, por gaboi në ide me Pano Qirkon që kuptoi gjithçka. Në minutat e fundit, Lemine që erdhi nga stoli krijoi iluzionet e golit, por pa mundur që të gjejë rrjetën për rrogozhinasit.
Në fund, pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve të Egnatias, që në këtë mbrëmje debutoi në Superkupë duke luajtur ndeshjen e parë në histori, rezultati nuk ndryshoi me Partizanin që koleksionon kështu një trofe të rëndësishëm duke fituar Superkupën, sukses padiskutim i rëndësishëm edhe për vetë trajnerin Arbër Abilaliaj.