Korporata amerikane e teknologjisë Microsoft ka njoftuar se do të mbyllë përfundimisht aplikacionin e komunikimit Skype, duke filluar nga muaji maj 2025.

Ky vendim vjen pas rënies së popullaritetit të platformës dhe përqendrimit të kompanisë tek Microsoft Teams.

Siç raportohet nga portali amerikan i teknologjisë XDA Developers, përditësimi më i fundit i Skype përmban një tekst paralajmërues për mbylljen e afërt të këtij aplikacioni. “Duke filluar nga maji, Skype nuk do të jetë më i disponueshëm. Vazhdoni me telefonatat dhe bisedat tuaja në Teams”, thuhet në program.

Kjo pasohet nga një shënim se një numër i caktuar i “miqve tuaj tashmë kanë kaluar falas te Teams“, me sa duket bazuar në kontaktet e përdoruesit.

Skype u lançua në vitin 2003 dhe shpejt u bë një nga platformat më të përdorura për thirrje dhe mesazhe online. Në vitin 2011, Microsoft e bleu atë për 8.5 miliardë dollarë, duke e integruar në ekosistemin e tij të produkteve.

Në vitin 2017, kompania prezantoi Microsoft Teams, i cili gradualisht mori rolin kryesor në komunikimin online, veçanërisht për bizneset dhe ekipet profesionale. Gjatë pandemisë së COVID-19, konkurrenca nga platforma si Zoom dhe Google Meet e la Skype-n në hije, duke ndikuar në vendimin e fundit të Microsoft.

Përdoruesit e Skype do të mund të përdorin kredencialet e tyre në versionin falas të Microsoft Teams, që do të zëvendësojë aplikacionin. Microsoft ende nuk ka dhënë një koment të mëtejshëm mbi këtë ndryshim.

(BalkanWeb)