Erion Murataj PSD

Pas ekstradimit nga Spanja, ish-kreu i Bandës së Durrësit Lulzim Berisha është vendosur në burgun e qytetit bregdetar.

Kujtojmë se Lulzim Berisha u ekstradua nga Spanja më datë 18 mars. Ai u ekstradua, me kërkesë të SPAK-ut. Lulzim Berisha akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut.

Lulzim Berisha, i cili fillimisht u dënua me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, vrasje dhe trafikim ilegal gjatë viteve 1998-2000, arriti ta ulë dënimin nga burgimi i përjetshëm në 25 vjet në vitin 2014, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Dy vjet më vonë, ish-kreu i bandës së Durrësit mundi të largohej nga burgu falë një vendimi të Apelit të Durrësit, i cili, përmes një llogaritje të bërë, vendosi që 3 e 4-ta e dënimit të ishte shlyer dhe, duke vlerësuar sjelljen e tij pozitive, i fali 5 vite të mbetura dënimi.

Sidoqoftë, në dhjetor 2021, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të Durrësit, duke kërkuar që të rikthehej në burg për vuajtjen e atyre 5 viteve të mbetura. Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit shpalli Lulzim Berishën në kërkim në janar 2022 dhe ai u arrestua në Spanjë në dhjetor 2023. Pasi u rikthye në Shqipëri, ai ka dy procese gjyqësore, për të përfunduar dënimin e mëparshëm dhe për t’u gjykuar për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005.