Pas përhapjes së Murtajës së Ruminatëve të Vegjël, një tjetër sëmundje është konfirmuar në qytetin e Dibrës. Bëhet fjalë për sëmundjen e Brucelozës, e cila është shfaqur në dy familje në njësinë administrative Kastriot dhe Muhurr në Bashkinë e Dibrës.

Nënprefekti i qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu, teksa ka konfirmuar rastet, është shprehur se nuk ka vend për alarm pasi të dyja familjet janë izoluar dhe se kafshët shtëpiake të prekura nga virusi Brucella, janë asgjësuar.

Prefekti gjithashtu ka bërë me dije se të gjithë anëtarët e familjeve por edhe personat e tjerë që kanë pasur së fundi kontakte me to, i janë nënshtruar analizave dhe se kanë nisur kurimin.

Bruceloza është sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga konsumimi i qumështit të pasterilizuar ose mishit të papjekur nga kafshët e infektuara, ose nëpërmjet kontaktit të ngushtë me sekrecionet e tyre.

Kjo sëmundje shfaqet në forma të ndryshme që nga djersitja, ethe, të dridhura, djersitje me erë të keqe, lodhje, gjendje e keqe shëndetësore në përgjithësi, humbje oreksi, dhimbje në muskuj dhe kyçe, dhimbje koke, diarre ose kapsllëk dhe të vjella.