Banorët e Porto Romanos janë ngritur në protestë këtë të diel (19 qershor), një ditë pas shpërthimit që u regjistrua në një nga depozitat në një fabrikë të gazit të lëngshëm. Banorët shprehen të shqetësuar për sigurinë e tyre, teksa kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për ta zhvendosur fabrikën.
“Kemi dalë që të hiqet fabrika, nuk e heq kush”, thotë një nga banorët.
Është i rrezikshëm, e di shumë mirë se si funksionon, na thanë do bëhej fabrikë shampoje, dhe po të ishte për punë bombolash. Nuk jemi kundër biznesit, rrezikohet jeta e qytetarit. Gërdeci nuk duhet të përsëritet, është gjynah”, shprehet një tjetër.
“Nuk duhet të ndodh një Gërdec i dytë, të vijë ministria e Mjedisit, a i takon që ta mbajë këtë biznes në qendër të banuar”, thotë një tjetër banor.
Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave, nëse nuk merren masat e duhura.
Ngjarja u regjistrua ditën e djeshme (18 qershor), ku shpërthyen disa bombola gazi, pro për fat të mirë zjarri u vu shpejt nën kontroll. Impianti i gazit te lëngshëm gjendet jashtë zonës së portit ku ndodhen depozitat e kompanive të hidrokarbureve. Ai është ndërtuar së fundmi dhe shërben edhe për mbushjen e bombolave që shërbejnë për gatim në banesa dhe restorante.