Kryetari i PD, Lulzim Basha ka mbajtur ditën e sotme një takim me demorkatët në Kurbin, ku nuk la pa përmendur vendosmërinë e tij për të bërë mbylljen e kapitullit të tranzicionit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Basha akuzoi sërish ish kryeministrin, Sali Berisha se ky i fundit nuk kishte vepruar ashtu siç pritej, duke vendosur kështu interesin e tij personal mbi atë partiak. Ndërsa në postimin e bërë pas takimit me demokratët e Kurbinit, kryedemokrati tha se demokratët e qarkut të Lezhës kishin zgjedhur të ardhmen.
Postimi i Plotë nga kreu i PD, Lulzim Basha:
Me shpirtin e tyre të madh, demokratët e qarkut të Lezhës kanë zgjedhur të ardhmen, të vetëdijshëm se Partia Demokratike është shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim. Dhe në emër të vlerave mbi të cilat familja jonë politike është ngritur dhe qëndron, me busullën që na drejton përherë nga perëndimi, ne jemi gati të bëjmë çdo sakrificë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të risjellë demokracinë dhe legjitimitetin në vend.
Vendosmëria jonë është e madhe, aleancat tona janë më forta se kurrë dhe të gjithë bashkë do t’i japim fund tranzicionit dhe idhujve të tij të rremë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.