Martin Braithwaite ka folur për herë të parë mbi atë që përjetoi kur Christian Eriksen humbi ndjenjat në fushë, gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë, në “EURO 2020”.
Sulmuesi danez i Barcelonës tha se e pa të vdekur shokun e tij të skuadrës.
“Ishte eksperienca më e keqe e jetës sime. U kthye në makth ajo që për ne ishte një nga eventet sportive më të rëndësishme. Ishte shokuese për të gjithë. Pati një moment kur unë u afrova për të parë Eriksenin dhe ai nuk ishte aty. Po i shikoja trupin, por ai nuk ishte aty. Kishte ikur, jam i sigurt fare. Njeriu e kupton kur sheh dikë që ka vdekur”, tha Braithwaite në një dokumentar të prodhuar nga Lucky Metal dhe 433.
“Aty nisa të lutesha. Ishte gjëja e vetme që mund të bëja në atë moment. Iu drejtova Zotit. Të gjithë mjekët kishin ardhur aty për ta risjellë në jetë dhe pamjen që kishim para syve nuk do dëshiroja që ta përjetojë njeri. Por, fundi ishte i lumtur. E rëndësishme është që Christian (Eriksen) është mirë”, shtoi sulmuesi.