Prokuroria italiane e Antimafias ka marrë në pyetje dy protagonistët kryesorë të dosjes hetimore të pastrimit të mbi 18 milionë eurove, për llogari të një sipërmarrësi i akuzuar për riciklim të kapitaleve të mafias siciliane Cosa Nostra.
Për këtë çështje është shpallur në kërkim edhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi i cili po hetohet nga SPAK bashkë me dy persona të tjerë shqiptarë, bashkëpunëtorë të tij.
Sipërmarrësi 90 vjeçar Francesco Zummo është paraqitur para prokurorit Alfredo Motalto i shoqëruar nga avokatët e tij Gioaçhino e Sbaçhi, ku nuk ka pranuar t’i përgjigjet asnjë pyetje.
Ai ka zgjedhur heshtjen duke lënë gjithcka në duart e avokatëve mbrojtës.
Ndryshe ka qenë sjellja e ekonomistit Fabio Petruzzella, i cili përballë prokurorëve i ka konsideruar akuzat ndaj tij si “fjalë vetëm fjalë”, duke zvogëluar peshën e tyre.
Financier Petruzzella, i shoqëruar nga avokatët e tij Roberto Tricoli e Luigi Micel, e ka konsideruar punën e tij të ligjshme duke justifikuar se transferimi i parave po kryhej në një fazë kur pasuria e sekuestruar prej 150 milionë euro e sipërmarrësit sicilian Francesco Zummo, i kishte skaduar afati i masës paraprake “nën sekuestrim”, por që për vërtetësi të fakteve u shndërrua në akt përfundimtar me vendim të Gjykatës së lartë.
Prokurorët italianë akuzojnë financierin Fabio Petruzzella, se ka kryer dhe operacione të tjera për të lëvizur paratë e sipërmarrësit në shërbim të mafias siciliane përmes përvetësimeve fiktive të pasurisë, që më pas do t’i rikthehej përsëri Francesco Zummo.
ora tv