Edhe pse tha se nuk ka asnjë plan konkret, Argita Malltezi u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN se është e gatshme të shërbejë në çdo pozicion në Partinë Demokratike, duke lënë të hapur edhe mundësinë e drejtimit të Partisë Demokratike.
“Kam qenë shumë e vërtetë në ato që kam thënë. Nuk e kam parë kurrë politikën si fushën ku do të doja të jepja kontributin tim. Unë kam qenë gjithmonë e lidhur me politikën. Jam shumë e kënaqur me profesionin që bëj. Si shumë shqiptarë të tjerë nuk e shikoj aktivizimin në politikë si një çështje timen kryesore, rrethanat e sollën që mora këtë rol, për të cilin nuk isha pishman që nuk e kisha marr deri tani. Unë shpresoj shumë që gjërat të ndjekin rrjedhën e tyre dhe aktivizimi im të mbetet publik për kaq sa ka qenë i nevojshëm dhe jo më tepër.
Megjithatë, unë i qëndroj asaj që kam thënë se jam e gatshme të ndërmarrë çdo veprim që është i nevojshëm për të çuar përpara një kauzë në të cilën besoj dhe nuk kam asnjë lloj hezitimi për të ndërmarrë një veprim të tillë”.
Alba Alishani, drejtuesja e Debat i bëri Malltezit pyetjen e drejtpërdrejtë, duke i thënë nëse do të jetë e gatshme të marrë edhe karrigen e babait të saj nëse do të jetë e nevojshme.
“Unë jam fare e gatshme të kontribuojë në çdo lloj pozicioni që e mendoj që kontributi im është i nevojshëm. Nuk vuaj fare nga dëshira për të qenë e parë, por nuk kam bërë asnjë lloj plani të tillë, megjithatë nuk do të hezitoj për të ndërmarrë çdo lloj veprimi që më duket se duhet ta bëj për t’i ikur një situate, më së paku, të pavërtetë.
Nuk kam asgjë konkrete për momentin, përveç planit që mbështetja ime është e pakufizuar dhe veprimi im nuk mund të kufizohet me barriera subjektive. Unë nuk trashëgoj karrigen e babait, por ajo që do të bëjë nëse është e nevojshme është që do të garojë si çdo njeri për çdo lloj pozicioni”, tha Malltezi në A2 CNN.
Në fund, Argita Malltezi theksoi se për këtë ajo nuk ka diskutuar konkretisht me Sali Berishën, por thekson se ai ia ka dhënë mbështetjen edhe publikisht.