Kërkimet për 14 vjeçarin e zhdukur në lumin Seman, Fier mbrëmjen e djeshme po vazhdojnë ende, teksa dyshimet janë se ai është mbytur teksa po peshkonte.
Banorë të fshatit shprehen se djali vinte shpesh për peshkim, një zanat që e kishte trashëguar nga i ati. Pas vdekjes së të atit, 14 vjeçari peshkonte më së shumti vetë, ndonjëherë dhe me vëllain e madh.
Sipas tyre duket se fëmija ka patur fatin e të vëllait i cili u mbyt 10 vite më parë, në po të njëjtin lumë. Skena duket e njëjtë. Shapkat dhe rrobat e lëna në breg, teksa i vogli ishte duke luajtur me shishe uji.
“I kanë gjetur vetëm shapkat, rrobat. I njëjti fat si është mbytur dhe fëmija tjetër. Edhe i vëllai duke luajtur, kishte lënë shapkat dhe duke luajtur me shishe uji u mbyt.
Ai ishte në klasë të parë, ishte shumë i vogël. Të njëjtin fat pati dhe i vëllai. Është një dhimbje shumë e madhe,” thotë një banore.
Fëmija e familjes Saka u zhduk mbrëmjen 10 gushtit teksa kishte shkuar për të peshkuar, ndërsa kërkimet në brigjet e lumit vazhdojnë.