Politikani i njohur Astrit Patozi ishte i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila për të folur në lidhje me zhvillimet më të fundit dhe ecurinë e Partisë Demokratike. Patozi shprehet se edhe vetë Berisha e di që e ka të pamundur të rikthehet në pushtet. Atij i duhet një PD e gjitha e tija pasi i duket e mjaftueshme për të patur një lloj imuniteti politik, shprehet Patozi.
“Më e rrezikshme është pjesa e këtyre që llogarisin që se megjithëse nuk fitojnë, ne jemi këtu edhe opozita është njëlloj pushteti shumë më i vogël sesa qeveria dhe vërtitemi me ndonjë kockë të vogël dhe jemi në rregull.
Tani me këto lloj kategorie as që mendohet që të vish në pushtet. Por në fakt Sali Berisha nuk e mendon të vijë në pushtet, pasi është më inteligjenti prej tyre. Nuk do të vijë në pushtet pasi e di që nuk vjen dhe nuk rri të vrasë mendjen si të vijë në pushtet. Atij i duhet një PD e gjitha e vetja, po e arrin këtë gjë, dhe mesa duket e konsideron të mjaftueshme për të patur një lloj imuniteti politik se për aq i duhet por puna është këta të tjerët.
Këta të tjerët që kanë shkuar të gjithë që t’i bëjnë bunkerin një njeriu. Po në qoftë se e kanë jetën e tepërt le të vazhdojnë. Puna është ku ndryshon Berisha i 2005-ës ose qoftë edhe i 97-ës me Berishën që është tani. Atëhere PD-ja ishte një trup politike, një prej të cilëve isha edhe unë, që të gjithë luanim në sulm. Pra ne e besonim që mund të arrinim pushtetin dhe në rast se nuk e arrinim i shkonim shumë afër. Dhe kështu ka ndodhur herë kemi humbur, herë kemi fituar por fituam.
Tani çfarë ka ndodhur, Berisha është po ai, por është gjenerali i një ushtrie që e di që nuk arrin as deri në mesin e fushës dhe janë duke ruajtur portën se mos hanë ndonjë gol, dhe kjo është diferencë shumë e madhe” u shpreh Patozi për Shqip në Dritare .