PD do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për ndërtimet pa leje. Kjo deklaratë ka ardhur nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili ka denoncuar edhe shtimin e 5 kateve pa leje në një nga kullat e Tiranës. Gazmend Bardhi në denoncimin e tij thekson se 10 ditë pasi Bashkia e Tiranës detyrohet të mos e miratoi lejen e ndërtimit për shtimin e disa kateve, një pallati në Tiranë, Edi Rama vendos Qeverinë në dispozicion të kompanisë ndërtuese “Kastrati” shpk, duke ndryshuar pikërisht nenin 17 të VKM, që pengonte Bashkinë e Tiranës në ligjërimin e 5 kateve që ishin ndërtuar pa leje, duke hequr kriterin që shtesa nuk mund të jetë më shumë se 2 %. Është VKM nr. 457/29 Qershor 2022.
Bardhi ka shtuar se ligji nuk njeh as mundësinë e legalizimin, as mundësinë e parablerjes, as mundësinë e shmangies nga përgjegjësia penale.
“E vetmja gjë që njeh ligji është detyrimi i Edi Ramës dhe inistitucioneve në varësi të tij për ta zbatuar.” ka thënë ai.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur dje të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, për shpalljen e tij antikushtetuese, për shkak se Vendimi i Qeverisë për të marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës:
• Është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cënon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cënon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji;
• Është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend;
• Është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
“Vendimi i qeverisë parashikon që kushdo që ndërton kulla pa leje apo kate shtesë pa leje, duhet ta deklarojë, tja shes shtetit për 1 euro, me pas mund ta blejë dhe e gëzon ndërtimin e paligjshëm i pashqetësuar. Ky akt është legalizim pa ligj i ndërtimeve pa leje, është amnisti penale pa ligj, duke i përjashtuar nga dënimi me burg, është certifikim i pabarazisë mes qytetarëve.
Me këtë akt Edi Rama ka kthyer paligjshmërinë në sistem, me këtë akt Edi Rama i dhanë leje shtetërore cdo oligarku që të shtojë pa leje sa kate të dojë, të ndërtojnë pa leje ku të duan, mjafton të paguajnë ca para më shumë, dhe pronën e gëzojnë të pashqetësuar. Ky vendim është në fakt një nxitje për milionerët e Edi Ramës për të vijuar të ndërtojnë kate pa leje. “
Sipas Bardhit 3304 shqiptarë janë dënuar me burg për ndërtim pa leje këto 5 vitet e fundit, ndërsa shtron pyetjen se pse ligji nuk është i barabartë për 3304 qytetarët e dënuar për ndërtim pa leje dhe pronarët e dhjetrave ndërtimeve të tjera në mes të Tiranës kanë mbirë kate shtesë pa leje?
Sipas deputeti të PD-së, ky është rasti tipik i korrupsionit, që literatura e njeh si “kapje e shtetit” ose ndryshe përcaktimi i rregullave shtetërore sipas interesave klienteliste të një apo disa personave të identifikuar.
Ndërkohë duke u ndalur tek sekuestrimet e fundit që po u bëhen disa pallateve pa leje në Tiranë, Bardhi tha se qeveria po mashtron se do tu jepet mundësia ndërtuesve që të mund ti blejnë me çmimin e tregut.
“Edhe pretendimi se milonerët do ta blenë ndërtimin e paligjshëm me cmimin e tregut, është një mashtrim. Cmimi i tregut që merret në konsideratë në këtë rast është cmimi i referencës që miratohet me VKM. Për ta thjeshtuar, shembullin po e japim me këtë ndërtim të paligjshëm. Në këtë zonë cmimi i tregut apo cmimi i referencës është rreth 1500 euro m2. Ndërkohë që nëse sot shkon në zyrën e shitjeve të kësaj kompanie, cmimi real i shitjes është 5000 euro m2. Pra ajo që bën Edi Rama është që i jep leje shtetërore oligarkëve të shtojnë kate pa leje sa të duan, dhe në fund nuk do të fitojnë 4500 euro për m2, por do të fitojnë 2500 euro për m2, mqs 1500 euro për m2 do ja paguajnë shtetit për blerjen dhe 500 m2 euro do paguajnë gjobë.” thekson Bardhi.