Kjo e diel pritet të shënojë nisjen e takimeve për negociata brenda 2 kampeve të PD. Ndonëse ato do të mbahen larg syrit mediatik, të dyja palët kanë deklaruar se në tryezën e bisedimeve do të ulen pa kushte. Por të dyja kampet kanë gati edhe planin ‘B’ në rast se ribashkimi nuk ndodh.
TIRANË– E diela i jep fund pritjes së dy palëve në PD për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për daljen me 1 kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore.
Pas kthimit të negociatorit të grupit të Berishës, Edi Palokës nga Asambleja e 145 e Unionit Ndërparlamentar, të mbajtur në Ruandë, ai dhe Gazment Bardhi, I mandatuar nga grupi tjetër në PD, do të ulen të gjejnë rrugën e bashkëpunimit për lokalet 2023.Publikisht, te dyja palët kanë shprehur vullnetin për t’u ulur pa kushte menjëherë pas kthimit të Palokës këtë të dielë.
“Ata janë në kontakt me nëjri-tjetrin dhe procesi do të vijojë”, tha Berisha.
“Unë do të jem në kontakt me zotin Paloka për të hulumtuar mundësinë që demokrtatë të kenë një kandidat në zgjedhjet lokale”, tha Bardhi.
Mirëpo, paralelisht me tentativat për të shmangur skenarin e 6 marsit, dy kampet brenda PD po punojnë edhe për planin B, atë të daljes me kandidatët e tyre.
Sali Berisha e ka deklaruar publikisht rrugën e tij. Takimet tashmë kanë nisur dhe primaret në qytetet kryesore do të nisin shpejt, pa pritur pafundësisht rezultatin e negociatave Paloka-Bardhi.
Grupi tjetër, dirigjent kryesor të takimeve ka Lulzim Bashën, ndonëse ky i fundit hoqi dorë nga drejtimi I partisë që në muajin mars. Report Tv ka mësuar mbi disa takime që ish kryedemokrati ka zhvilluar në degët e PD për zgjedhjet e ardhshme lokale. Më të rëndësishmet ishin ato me ish drejtuesit e PD në degët e qyteteve të veriut dhe jugut, 2 javë më parë ku Basha u përball nga të vetët edhe me qëndrimin se nuk duhet të mendojë rikthimin në krye të demokratëve./Shqiptarja.com