Gazment Bardhi, në emër të Grupit Parlamentar të PD, i ka kërkuar Presidentit të Republikës Bajram Begaj, që të mos ndërhyjë përmes Kabinetit të tij, në procesin e administrimit të zgjedhjeve.

Duke ju referuar rastit të anëtarit të KAS, Ilirjan Rusmali, që rezulton njëkohësisht të jetë edhe Këshilltar Ligjor i Presidentit të Republikës, Bardhi sqaron se Presidenca po cënon rëndë parimin e neutralitetit dhe përfaqësimit të unitetit të popullit.

Reagimi i plotë:

I nderuar z. President i Republikës, Me shumë shqetësim dhe në shkelje flagrante të parimit të neutralitetit politik të Institucionit të Presidentit të Republikës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është njohur me faktin e përfshirjes së Kabitetit tuaj në procesin elektoral për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 Majit.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti i Republikës dhe Institucioni i Presidentit të Republikës është organ kushtetutes i pavarur, pa asnjë rol në procesin e administrimit të zgjedhjeve.

Mirëpo në kundërshtim me këtë përgjegjësi Tuajën dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, rezulton e provuar përfshirja në procesin e administrimit të zgjedhjeve përmes Këshilltarit tuaj Ligjor z. Ilirjan Rusmali, në rolin e anëtarit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Për vetë rolin dhe përgjegjësinë që ka KAS në procesin e zgjedhjeve, mënyrës ligjore të zgjedhjes së anëtarëve të tij , si dhe procesit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit të Republikës apo përgjegjësive të mëvonshme kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, angazhimi i Kabinetit tuaj në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme , është një ndërhyrje flagrante antikushtetuese e Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje.

Kjo ndërhyrje e Juaja apo Institucionit të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor bie ndesh me nenin 86 të Kushtetutës, ku theksohet se “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Përmes angazhimit të Kabinetit tuaj në procesin e administrimit të zgjedhjeve Institucioni i Presidentit të Republikës po cënon rëndë parimin e përfaqësimit të unitetit të popullit.

Ndërhyrja juaj në procesin zgjedhor, përmes Kabinetit tuaj, minon figurën e Presidentit të Republikës dhe e bën atë palë të certifikimit të një farse të plotë elektorale, sic provoi edhe Raporti Paraprak i Vëzhguesve të OSBE-ODIHR, ku theksohet shkrirja e shtetit me partinë në pushtet. Është e papranueshme që shkrirja e shtetit me partinë në pushtet të shtrihet deri tek figura e Presidentit të Republikës apo Institucioni i Presidentit të Republikës.

Kjo dëmton në mënyrë të pakthyeshme rolin dhe përgjegjësinë tuaj si Kryetar i Shtetit, si institucion kushtetues mbi palët politike apo si unifikuesin e popullit.