Basha shprehet se PD po riorganizohet dhe po modernizohet për të qenë në shërbim të shumicës së heshtur të shqiptarëve.

Ai thekson se duhet bërë gjithçka për t’i thënë forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika!

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës

Partia Demokratike po rioganizohet për të qenë në shërbim të shumicës së heshtur të shqiptarëve dhe instrumenti i tyre për ta ndryshuar këtë sistem politik që nuk i përfaqëson më.

Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë radhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë te njëjtat vlera me ne.

Për aleancën tonë me partnerët strategjikë;

Për luftën pakompromis ndaj korrupsionit;

Për pastrimin e politikës dhe për t’u dhënë fuqi shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre.

Aleanca Qytetare për Demokracinë do të formësojë një mazhorancë reformuese duke nisur me:

Listat e hapura;

Vetting-un në politikë;

Kufizimin e mandateve;

Votën e diasporës.

Me mbështetjen e demokratëve, përgjegjësia ime do të jetë, të shtrijë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që beson në këto vlera. Me këto transformime ne synojme rritjen e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë.

Për këtë arsye:

Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit;

Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti;

Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë;

Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.

Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika!