Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet kryetarit të degës së kësaj force politike në Durrës, Ferdinand Xhaferri, në lidhje me krizën mjedisore në Durrës dhe Kavajë të shkaktuar nga djegia e mbeturinave. Në një deklaratë nga landfilli i Durrësit, Xhaferri e ka konsideruar këtë një plan mafioz, ndërsa ka akuzuar qeverinë për paftësi në menaxhimin e kësaj situate. Ai thekson se me këtë situatë Rama po përdor një strategji mafioze për të dërguar mbetjet tek landfilli i Sharrës, që sipas tij është landfilli i ortakëve të kryeministrit, me një vlerë të rritur, 30% më shumë , me 41 euro për ton. Xhaferri i kërkon SPAK të veprojë përpara se situata të degradojë më shumë e të rrezikojë jetët e qytetarëve të Durrësit.
DEKLARATË E KRYETARIT TË DEGËS SË PD DURRËS, FERDINAND XHAFERRI
Ka mbi 4 vite që vlon problematika e mbetjeve për qytetet e Durrësit dhe Kavajës dhe së fundmi i është vënë flaka jo në kuptimin figurativ, por sikurse e shikoni në kuptimin e drejtpërdrejtë të saj. Ne kemi parë në qytetet e Durrësit dhe të Kavajës kazanë mbetjesh të tej mbushur gjatë ditës dhe që digjen gjatë natës . Pra sikurse shikohet, për qytetet e Durrësit dhe Kavajës situata e mbetjeve ka degraduar në një krizë mjedisore me shumë rrezik për shëndetin e qytetarëve te Durrësit dhe të Kavajës. Kanë kaluar katër vite, nuk kemi të bëjmë më me paaftësi, është një rast, është një plan i mirëfilltë mafioz, është një sjellje prej nje organizate kriminale , sepse ashtu sikurse organizatat kriminale që kur duan të realizojnë objektivat e tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve , shkojnë deri në vrasjen dhe ekzekutimin e qytetarëve , këtë punë po bën qeveria me krizën e mbetjeve. U ngrit, u ngrit kjo krizë mjedisore për të justifikuar që qytetet e Durrësit dhe Kavajës të cojnë mbetjet tek landfilli i Sharrës, tek landfilli i ortakëve të kryeministrit dhe ti cojnë mbetjet me një vlerë të rritur, 30% më shumë , me 41 euro për ton. Një aferë e pastër korruptive dhe pse? Tre vite më parë erdhi kryeministri Rama këtu në Durrës, shkoi dhe në Porto Romano dhe Këshilli Bashkiak u mblodh me urgjencë dhe miratoi, shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore. Nuk u bë asgjë! Dy vite më vonë në qershor të 2020, këshilli bashkiak u mblodh përsëri dhe shpalli për herë të dytë gjendjen e emergjencës mjedisore. Këto ditë u orkestrua kriza mjedisore, u bë situata alarmante për Durrësin dhe Kavajën, e papërballueshme. Dhe disa ditë më parë Këshilli Bashkiak u mblodh dhe vendosi që për 10 vitet e ardhshme mbetjet të shkojnë tek landfilli i Sharrës me një kosto prej 40 mijë euro për ton. Një vit më parë, në 2020 bazuar në vet strategjinë e qeverisë për trajtimin e mbetjeve për rajonin e Shqipërisë së mesme, tarifa ishte projektuar, kosto ishte projektuar 29 euro për ton. Pra, sikurse duket qartë është një aferë e pastër korruptive. Partia Demokratike e ka denoncuar prej vitesh këtë aferë. Ne jemi në pritje që SPAK-u të veproje përpara se situata të degradoje me shumë për jetën e qytetarëve të Durrësit.