Pedagogët vijojnë protestën e tyre para Universitetit Politeknik, ku kërkojnë rritje pagash dhe shtim fondesh për kërkimin shkencor. Kreu i sindikatës së Universiteteve, Sandër Kovaçi përdori doza ironie për kryeministrin dhe ministren e Arsimit.

Ai përmendi një takim me ministren Evis Kushi, e cila sipas tij i ka cilësuar të drejta kërkesat e tyre, por në fund kishte pohuar se nuk ka para për t’i realizuar ato.

“Shkencat luajnë me numrat. Numrat i bëjmë shifra dhe shifrat flasin. Ministrja shkoi sot në Universitetin Bujqësor. Ajo tha se; kërkesa tuaja janë minimaliste. Na tha: “unë jam si ju, se jam pedagoge, jam si ju dhe punoj për ju. Do të realizojmë atë që keni thënë” Por në fund tha; ‘nuk ka lekë!’. Ne i thamë faleminderit. I thamë se radhën tjetër do takohemi përballë, me kamerat dhe në prani të Ramës”, tha ai.

 Pedagogë të tjerë, të cilët janë pranishëm në protestë u shprehën të vendosur për të vijuar rezistencën deri në plotësimin e kërkesave.

“Kërkesat tona janë të drejta. Ne jemi mbledhur këtu për të na dëgjuar zërin .Nëse kërkesat nuk merren parasysh, do të vijojmë protestën, me bojkot të procesit shkollor”, u shpreh një tjetër pedagog.