Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes së 9 janarit në zonën e Astirit, ku 21-vjeçarja pretendoi se u mbajt peng, duke çuar në një operacion të Forcave RENEA për shpëtimin e saj.
Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi me iniciale E. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.
“Si rezultat i hetimeve intensive, bazuar dhe në informacionet e marra falë inteligjencës policore, nga Strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në një apartament në Astir.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë”, njofton policia.