Peqin

Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.

Gjenden dhe asgjësohen fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Arrestohen në flagrancë 3 autorët e dyshuar të kultivimit, 2 prej tyre vëllezër me njëri-tjetrin.

Procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre.

Gjatë kontrollit në banesën e 2 vëllezërve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 armë gjahu, një sasi municioni luftarak, 1 palë dylbi, 2 radio marrëse-dhënëse, 1 thikë, 1 automjet, dhe 3 aparate celuare.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Elbasan, kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Brothers”, gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Nj. S., 36 vjeç dhe G. S., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në Sauk, Tiranë;

M. S., 47 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi H. M., me detyrë kryetar i fshatit Garunjë e Madhe, Peqin.

Gjatë kontrollit masiv të territorit, në fshatin Garunjë, Peqin, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë canabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies. Nga veprimet hetimore dyshohet se 3 shtetasit e arrestuar janë autorët e kësaj veprimtarie kriminale.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasve G. S. dhe Nj. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë gjahu, një sasi municioni luftarak, 1 palë dylbi, 2 radio marrëse-dhënëse, 1 automjet, 3 aparate celuare dhe 1 mjet prerës (thikë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.