Ish-deputetja Rudina Hajdari reagon pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Samitin e Ohrit, për “Ballkanin e Hapur”. Hajdari e quan këtë nismë një propagandë të shëmtuar që nuk i shërben fermerit shqiptar, ndryshe nga sa deklaroi Rama.
“Ajo që Rama po bën me Open Balkan është pikërisht e kundërta. Ai po i siguron një ambjent edhe më të favorshëm fermerëve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për të konkurruar edhe me bindshëm fermerin shqiptar”, shkruan ish-deputetja.
Më tej, Rudina Hajdari thotë se duke ju dhënë akses fermerëve të dy vendeve të tjera në Adriatik, pa tarifa e kosto, Shqipëria do jua lehtësojë edhe më shumë barrën fermerëve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut duke u ulur kostot e lëndës së parë.
“Ndaj nuk ka asnjë habi se përse Open Balkan merr mbështetje kaq të madhe nga Ministri i Jashtëm Rus Lavrov dhe sigurisht Presidenti i Serbisë Vucic. Në thelb kjo nisëm i shërben fuqizimit të mëtejshëm ekonomik të Serbisë dhe dobësimit të shqiptarëve, si atyre në Shqipëri dhe atyre në Kosovë.”
Reagimi i plotë i Rudina Hajdarit:
Për “burrin” që na ka mbetur në derë!
Po dëgjoja Kryeministrin sot teksa fliste në eventin e organizuar për nismën “Ballkani i Hapur” duke argumentuar se kjo nisëm do të ndihmojë së pari fermerët shqiptarë.
Jam e bindur se fermeri shqiptar e di shumë mirë se kjo është një propagandë e shëmtuar dhe se realiteti flet krejt ndryshe, ata po e heqin në lëkurë politikën e mbrapshtë të qeverisë, por dua të ndaj sot disa shifra edhe për pjesën tjetër të publikut për të argumentuar se pse e gjitha kjo që po propagandandon Edi Rama është një gënjehstër e madhe.
Ballkani i Hapur ka në përbërjen e vetë sot 3 shtete, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Maqedonia e Veriut konkurron fort në Shqipëri, ndër të tjera, me produktet e saj bujqësore. Si pasojë e kësaj konkurrence, e cila vjen kryesisht prej faktit se ata kanë politika shumë të mira subvencionuese dhe stimuluese për fermerët e tyre e për rrjedhojë cmimet e produkteve dalin me kosto më të lirë, sipërfaqja bujqësore në Shqipëri nga viti 2005 e deri në vitin 2020 sipas Instat është rritur me vetëm 20ha. Pra në 15 vite, 9 prej të cilave zoti Rama është kryeministër, fermerët kanë shtuar vetëm 20 ha sipërfaqe të mbjelle, edhe kjo (po sipas instat) është kryesisht sipërfaqe e mbjellë me misër.
Serbia nga krahu tjetër, një nga produktet që konkurron fort fermerin shqiptar është qumështi. Prodhimi i qumështit (sipas Instat) ka rënë që mbas nënshkrimit të marrveshjes së Open Balkan me rreth 20mijë ton në Shqpëri. Nëse flet me prodhuesit dhe i hedh një sy edhe statistikave të doganës do kuptosh se qumështi shqipetar është zëvendësuar me atë serb, duke i shkaktuar humbje por edhe mungesë interesi fermerit shqiptar, për shkak se Serbia ka një politikë të fortë subvencionuese për blegtorinë.
Një kryeministër i cili ka si mision ti shërbejë vendit të vetë, para se të lejojë tregjet e huaja të konkurrojnë më lirshëm në Shqipëri, sigurohet se tregu vendas përfiton nga këto lehtësi.
Një Kryeministër i cili i shërben shqiptarëve së pari do të miratonte politika agresive mbështetëse dhe subvencionuese për fermerin shqiptar e kur të sigurohej se ai është mjaftueshëm i fuqishëm do kërkonte marrveshje jashtë, jo për ta dëmtuar por për ta ndihmuar.
Ajo që Rama po bën me Open Balkan është pikërisht e kundërta. Ai po i siguron një ambjent edhe më të favorshëm fermerëve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për të konkurruar edhe me bindshëm fermerin shqiptar. Pa harruar këtu faktin që duke u dhënë atyre aksesin në adriatik, pa tarifa e kosto, do jua lehtësojë edhe më shumë barrën fermerëve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut duke u ulur kostot e lëndës së parë.
Ndaj nuk ka asnjë habi se përse Open Balkan merr mbështetje kaq të madhe nga Ministri i Jashtëm Rus Lavrov dhe sigurisht Presidenti i Serbisë Vucic. Në thelb kjo nisëm i shërben fuqizimit të mëtejshëm ekonomik të Serbisë dhe dobësimit të shqiptarëve, si atyre në Shqipëri dhe atyre në Kosovë. Ballkani hapet për Serbinë dhe Rusinë dhe mbyllet për shqiptarët.
E duke qenë se sot e krahasoi Balkanin me një burrë që ka ngelë në derë se nuk e merr njeri, unë besoj se i vetmi “burrë” që i ka ngel në derë shqiptarëve është ai.
Një kryeministër që i shërben kujtdo përvec shqiptarëve, ndaj sa më shpejt ta “martojmë” aq më mirë për të gjithë ne.