Gjatë vitit pandemik (2020) shqiptarët çuan nga buxheti i tyre mujor për shëndetësinë më shumë se, europianët.
Sipas të dhënave vendase nga INSTAT në vitin 2020 gati 5,4% e shpenzimeve mujore të shqiptarëve shkuan për shëndetin, ndërsa sipas të dhënave të Eurostat në BE, familjet çuan vetëm 4.6% për qind të buxhetit mujor për kujdesin shëndetësor. Në Shqipëri shpenzimet e shëndetit në vitin 2020 u rriten me 28% ne krahasim me 2019, ndërsa në BE shpenzimet për shëndetin ranë me 5 % në raport më vitin 2019 raportoi Eurostat.
Në vitin 2020, shpenzimet e konsumit të familjeve në BE u ulën me një 8% të paprecedentë në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, ndërsa në Shqipëri u rritën me 1.6%.
Ne BE kjo është ulja më e madhe vjetore e regjistruar që kur është matur ky tregues dhe ulja erdhi për shkak të efekteve të pandemisë COVID-19. Ne BE rënia më e madhe ndodhi në për kategoritë “Restorante dhe hotele” (-38% krahasuar me 2019), “Veshje dhe këpucë, “Transport” dhe “Argëtim dhe kulturë” (të gjitha -17%) dhe shëndet . Nga ana tjetër, rritjet më të mëdha janë shënuar për kategoritë “Ushqime dhe pije joalkoolike” (+3%) dhe “Komunikime” (+2%).
Ndërsa në Shqipëri ulja më e madhe e shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2020, e ka shënuar grupi “Argëtim dhe kulturë” me 26,4 %, krahasuar me vitin 2019, ndërsa rritja më e madhe është shënuar në grupin “Shëndet” me 28,0 %.
Sipas të dhënave vendase nga INSTAT në vitin 2020 gati 42% e shpenzimeve mujore të shqiptarëve shkuan për ushqime, ndërsa sipas të dhënave të Eurostat në BE, familjet çuan për ushqime vetëm 13 për qind të buxhetit mujor. Përqendrimi i shpenzimeve tek ushqimet në vendin tonë vjen si rrjedhojë e nivelit të ulët të pagave dhe nivelit të lartë të varfërisë relative
Në BE shpenzimet mujore të familjeve janë të përqendruara të qiratë dhe faturat e shtëpisë dhe shpenzimet për transport. Psh gjatë vitit të kaluar 23.5 për qind e buxhetit të familjeve europiane shkoi për qira, drita dhe ujë, ndërkohë që në Shqipëri faturat dhe qiraja zënë 10% të shpenzimeve mujore. Ky zë peshon më pak në familjet shqiptare për shkak të varësisë së ulët nga qiraja, pasi shumica e familjeve kanë investuar në pronësinë e shtëpisë.
Në BE zëri i dytë më i madh në shpenzimet mujore të familjeve janë shpenzimet e transportit që zënë 13.1 për qind të buxhetit mujor. Në Shqipëri ky zuri 5.6% të shpenzimeve mujore më 2020. Siç shihet Europianet kanë më shumë për udhëtime dhe argëtim.
Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur familjet në Shqipëri dhe ato në BE kanë të njëjtat përqindje të shpenzimeve mujore për veshje, pasi çojnë 4.6% të fondit mujor për rroba dhe këpucë, ndërsa Europianët shpenzuan më shumë nga buxheti i tyre për pije alkolike dhe duhan se shqiptarët./Monitor