Disa shtete në rajonin tonë kanë marrë masa konkrete për t’i bërë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve. Në shumicën e tyre është siguruar drithi dhe mos-ndërprerja me furnizimin e naftës, heqjen e akcizës apo edhe është rritur paga minimale, si në rastin e shtetit helen.
Greqia duket se ka marrë masat e para sa i përket rritjes së paprecedentë të çmimeve që kanë kapluar globin, të cilat nuk kanë kursyer as rajonin tonë.
Kështu qeveria e Qirjako Micotaqisit ka rritur pagën minimale me 2,7-7% e cila do të fillojë të zbatohet që nga 1 maji i këtij viti.
Sipas ekonomistëve helenë paga minimale pritet të shkojë në 751 euro.
Qeveria bullgare e Kirill Petkov është zotuar se do të mbajë nën kontroll situatën e drithërave dhe naftës deri në vitin 2023.
Sofja ka blerë 1,5 milionë tonë drithë me çmimet e tregut e cila do të jetë e mjaftueshme deri në të korrat e 2023.
Po ashtu ekzekutivi po kujdeset që të mos ketë ndërprerje të naftës dhe gazit, sipas Ministrisë së Energjisë furnizimi me lëndët nga Rusia vijon dhe se ka një plan B për nëse marrëveshja prishet.
Fqinji i bullgarëve, Maqedonia e Veriut propozoi të mërkurën masat për t’i bërë ballë krizës për qytetarët e biznesit.
Për prodhimet ushqimore, naftën e energjinë elektrike pritet të ketë lehtësime tatimore
Qeveria mund të ulë taksën e akcizës për naftën, kërkesë e bërë kjo edhe nga bizneset gjatë ditëve të pikut të rritjes së çmimeve.
Shkupi zyrtar do të vijojë të mbajë TVSH për energjinë elektrike 5% deri në fund të këtij viti edhe pse ajo ishte planifikuar të rritej në 10% nga muaji qershor.
Edhe në Kosovë çmimet e naftës kanë arritur nivelin më të lartë që nga paslufta.
Aktualisht qeveria e Albin Kurtit ka vendosur një marzhë tregtare vetëm për derivatet e naftës, si formë për të ruajtur mundësinë e çrregullimeve në treg, me të cilën naftëtarët nuk janë pajtuar.
Sipas vendimit, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 % të çmimit të shitjes, ndërsa për shitësit më e lartë, deri në 6%.
Duhet sqaruar se çmimet e naftës në Kosovë aktualisht janë ndër më të ulëtat në rajon.
Në Serbi, çmimi i energjisë elektrike është rritur me 8 herë.
Qeveria serbe ka ndërmarrë një sërë hapash për të kufizuar disa taksa në mënyrë që rritja e çmimit të paprecedentë të mos bjerë direkt mbi qytetarin.
Por përsëri rritja e çmimeve ka ndikuar direkt në xhepat e qytetarëve.
Të martën presidenti Vuçiç njoftoi se për të mbajtur situatën nën kontroll do të ndalonte eksportin e miellit, grurit, vajit dhe misrit, çka mund të shkaktojë më shumë kaos në vendet e rajonit që kanë si furnizues kryesor të drithërave Serbinë.
E këtu përfshihet edhe vendi ynë dhe Kosova.
Kriza politike duket se nuk ka qenë e vetmja për malazezët.
Në vendin fqinj çmimet e ushqimeve dhe pijeve janë rritur me 11.3%, ndërsa ai i naftës me 42%.
Sipas ministrit të Financave të Malit të Zi çmimi i naftës është më i larti që nga 2008 dhe rritja sipas tij do të vijojë dhe qeveria do ta ketë të pamundur ta ndalojë për shkak se nuk ka kornizë ligjore.
Ministri shprehet se deputetët duhet të miratojnë ligjin për akcizat për të mundësuar një ulje deri në 20% në situata të tilla.
Edhe pse ditët e fundit thuhet se shkaktari për rritjen e çmimeve është sulmimi i Ukrainës, qytetarët dhe bizneset pohojnë se ato u rritën që përpara 24 shkurtit.
Shtetet kudo në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara regjistruan inflacione rekorde të papara ndër dekada.