Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar në emisionin “Pikat mbi I” në “News 24”, deklaroi se është i tronditur nga ajo që ndodhi më 8 janar në selinë e PD. Ai tha se pas reve ka gjithmonë diell, e se përçarja e vetme është shkaktuar nga retorika e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Përveç shokut, tronditjes, është mesazhi për të qëndruar fuqishëm. Të mos i dorëzohemi dhunës dhe të keqes së madhe të këtij vendi, qeverisë me Edi Ramën në krye. Këtu s’ka çarje. Kush është me këtë qëllim është pjesë e betejës. Mund të ketë mendime ndryshe, këto janë normale. Përçarja e vetme është retorika e Berishës për hesap të hallit të vet personal dhe Edi Ramës”, tha Basha.
Basha nënvizoi se Berisha dhe Rama janë individë të fortë politikisht, por sipas tij formojnë pakicën, ndërsa shumica është e hapur për të përqafuar ndryshimin.
“Të gjithë shqiptarët ndihen të lënduar. Pas reve gjithmonë ka diell. Pas reve të zeza të 8 janarit, ka një diell, ka një diell shprese. Kjo u tregua se si dhe PD përballoi këtë sulm të koordinuar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Me këtë shpresë do të ringrihemi, për t’i dhënë shqiptarëve një Shqipëri normale. Kjo do të arrihet edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, që ka te PD sot besimin se është një parti pro-Perëndimore.
Duhet të mbyllim dyert e tranzicionit dhe të hapim dyert e realitetit. Shqipëria është një vend që ka potencialet për një jetë normale. Nuk është shtet i korruptuar, por është shteti i non gratave. Për aq kohë sa shumica bëhet bashkë, e ne i prijmë kësaj shumice, ditët e tyre do të jenë të numëruara. Edhe më të vendosur janë shqiptarët, demokratët. Këtu e kemi të qartë që kemi të bëjmë me dy individë (Berisha dhe Rama) të fortë politikisht, e akoma më të fuqishëm kur bëhen bashkë. Por prapë se prapë pakicë janë e pakica nuk bëhet shumicë. Shumica e shqiptarëve nuk i do. Ne do të bëjmë gjithçka që kësaj shumice t’ia hapim shpresën, t’ia hapim horizontin që iu ka mbyllur e është bërë një pikë e zezë për shkak të Sali Berishës dhe Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati kishte në përfundim një mesazh për demokratët:
“Jo vetëm ndaj partisë, duke filluar nga demokratët që i ftoj në një reflektim të thellë dhe të përbashkët. Jemi e para parti në Ballkan që nuk ka nevojë të jetë pjesë e partisë, por duhet të japin kontributin e tyre për vendimarrjet e PD. Kjo nuk është një luftë partish, por një shumice që i janë hequr instrumentet, e një pakice dhe faktorë që i tremben normalitetit”.
(BalkanWeb)