Prokurori i Durrësit Arjan Ndoja është përballur sot me Komisonin e Pavarur të Kualifikimit, pasi ka dalë në vetting. Seanca ka nisur prej paradites dhe ka vazhduar prej disa orësh, ndërsa përballja e Ndojës me trupën e KPK dhe përfaqësuesin ndërkombëtar Theo Jacobs nuk ka qenë e lehtë.
Përfaqësuesi i ONM-së i ka bërë të qartë prokurorit të Durrësit se ishte i pasinqertë dhe nuk do ta dëshironte në staf një magjistratë si ai, nëse do ishte shef. Jacobs e ka vënë Arjan Ndojën dhe përballë deklaratave të pasurisë që ai ka bërë vetë, ku në vit ka deklaruar 250 mijë euro fitim, si avokat.
Ndërkohë, prokurori i Durrësit është përgjigjur duke thënë se po paragjykohej ngaqë ishte i pasur. Sa i përket të ardhura, Ndoja përmendi fenë duke thënë se ka dhënë para pa interes. Prokurori i Durrëësit i tha Jacobs se nëse do të kishin punuar bashkë, do të kishte mendime të tjera për të.
“Nuk kam bërë akuza për askënd, unë thjesht kam mbrojtur veten përpara aludimeve që janë bërë për mua”, tha ai për mediat pas përfundimit të seancës në vetting. Gazetarët e pyetën dhe për atentatin e tre viteve më parë, por ai u përgjigj shkurt duke thënë se çështja është nën hetim.
Theo Jacobs: S’do të doja kurrë t’iu kisha në staf si prokuror nëse do të isha shef. Ju jeni i pasinqertë. Në deklaratën e 2008 thoni që keni fituar 250 mijë euro në vit si avokat. E nëse në tre vite që ishit jashtë sistemit fituar 750 mijë euro, përse ju duhet ju prokuroria? As në Belgjikë avokatët më të mirë s’fitojnë kaq edhe pse çmimet e standardet janë shumë më të larta se në Shqipëri.
Ju shkoni e dilni xhironi me persona të gabuar. Përse ju duhet një shofer privat që e paguani nga xhepi? Shqiptarët dinë shumë për personat që ju shoqëroheni por ata s’janë hetuar kurrë! Kur futeni në sistemin e drejtësisë, ju mendoni se keni më shumë të drejta se qytetarët. Por e vërteta është ndryshe. Ju duhet të keni më pak. Ju duhet të qëndroni larg njerëzve që kanë konflikte me ligjin.
Ju jeni inteligjent dhe i zgjuar, do të duhet të ishit një aset i këtij vendi. Të qenit prokuror e di që është e vështirë por s’është punë të jeni në xhiro e me kontakte. E vetmja punë dhe ju se keni respektuar. E për këtë s’do të doja kurrë t’ju kisha në skuadër.
Arjan Ndoja: U riktheva në sistemin e prokurorisë pasi gjykata më dha të drejtë. Kisha kontratë me magjistraturën dhe prandaj u riktheva në sistem për ti dhënë përgjigje Jacobs, pse u riktheva se kisha të ardhura të mira.
Fakti që jam i pasur dhe paratë e mia janë të ligjshme s’më pengon për asgjë. Unë përmbush kushtet dhe kriteret. Për lëvizjet me persona të inkriminuar, Jacobs beson se 60% të magjistratës e kap vettingu për kontakte të papërshtatshme. Nuk bëhet me perceptime. Po të kishim punuar, të siguroj se do të kishe të tjera mendime e raporte.
Shkoni tek lokalet përballë prokurorisë. Aty është skaneri real i çdo njërit prej nesh. Në asnjë vend të botës nuk gjykohen prokurorët e gjyqtarët për veprimet që marrin. Vepër penale s’kam bërë, masë disiplinore s’kam. Ju më thoni fajtor. Po ku bazoheni?
Sot sistemi i drejtësisë është më keq edhe falë jush e ndërkombëtarëve. Kërkoj konfirmim në detyrë. S’kam bërë asnjë shkelje profesionale. Në aspektin e pasurisë, jam i vetmi prokuror që kam dhuruar prona. Kam dhënë para pa interes se s’ma lejon feja. Jam i vetmi që nuk kam fshehur asnjë pronë apo ta vendos në emër të të tjerëve.
Të zgjedhurit vendor i kam takuar si drejtues prokurorie pasi ligji më kërkon të takoj si kryetar bashkie e kryetar qarku. Në respekt të Kushtetutës të Shqipërisë dhe ligjit të vetting, dua konfirmim në detyrë.