Një ministër dhe tre zëvendësministra të qeverisë greke kanë dhënë dorëheqjen sot pas akuzave për përfshirjen në skandalin e korrupsionit që lidhet me keqmenaxhimin e subvencioneve të BE për bujqësinë.
Sipas raportimeve, gjithçka lidhet me keqadministrimin e fondeve të BE për bujqësinë për periudhën 2019–2022 nga agjencia shtetërore OPEKEPE, e ngarkuar me shpërndarjen e subvencioneve.
Mësohet se një numër i madh individësh kanë përfituar padrejtësisht subvencionet duke dhënë deklarata të rreme dhe duke pretenduar se zotëronin ose kishin marrë me qira kullota që në të vërtetë ishin tokë publike.
Gjithashtu pagesat kanë vazhduar edhe në vitin 2024 pas deklaratave të rreme mbi numrin e bagëtive që janë dorëzuar.
Për shkak të imunitetit parlamentar, një hetim penal mund të zhvillohet vetëm pas miratimit të parlamentit.
Sipas zëdhënësit të qeverisë, Pavlos Marinakis, zëvendësimet për postet bosh do të shpallen në ditët në vijim.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka njoftuar se do të ulë me 5% fondet bujqësore për Greqinë, në një total prej 392 milionë eurosh.