Papa Françesku, zbuloi sot se kishte “pneumoni akute” për të cilën u shtrua në spital në fund të muajit mars. Ai tha se pavarësisht gjendjes së tij, ende dëshiron që të udhëtojë.
“Ndjeva një dhimbje të fortë në fund të audiencës (29 mars), por nuk humba ndjenjat”, tha Ati i Shenjtë, i lindur në Argjentinë, në një bisedë me gazetarët teksa po kthehej me aeroplan nga Budapesti. “Kisha temperaturë të lartë, mjeku më dërgoi menjëherë në spital”, shtoi ai, duke thënë se kishte “inflamacion akut dhe të rëndë në pjesën e poshtme të mushkërive. Trupi reagoi mirë ndaj ilaçit. Falë Zotit, mund t’ju them tani”, tha ai.
Papa qëndroi në një spital në Romë për tre ditë dhe doli prej aty më 1 prill, pasi u trajtua me antibiotikë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për udhëtimet e ardhshme, Papa Françesku konfirmoi se në fillim të gushtit planifikon që të shkojë në Lisbonë, ku mbahet Dita Botërore e Rinisë dhe në shtator në Marseille dhe Mongoli.