Banorët e fshatit Çërravë kanë dalë sot në protestë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kevi Muçollarit, i cili u arrestua pas një incidenti në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit.
Protestuesit pretendojnë se Muçollari është arrestuar padrejtësisht dhe se ndërhyrja e policisë ka qenë e motivuar politikisht. “Kevi ishte në mbështetje të banorëve dhe arrestimi i tij ishte politik. I bëjmë thirrje prokurorisë ta lirojë sa më shpejt,” tha një nga protestuesit, duke shtuar se situata në mbledhjen e këshillit u përshkallëzua pas një provokimi nga një këshilltar bashkiak.
Një tjetër banor u shpreh se protesta ka nisur për mbrojtjen e tokave të fshatit, ku është parashikuar të vendosen panele diellore. “Po i vunë ato, fshati mbaron. Ne do vazhdojmë të protestojmë edhe në Pogradec, derisa Kevi të lirohet,” tha ai.
Sipas dëshmitarëve, gjatë mbledhjes së këshillit, Muçollari është provokuar nga një këshilltar që votoi pro projektit për tokat e fshatit Çërravë, gjë që shkaktoi tensione në sallë. “Po të mos ishte ngritur këshilltari, nuk do të ndodhte incidenti. Fjala ‘legen’ nuk ishte ofendim, ne e themi çdo ditë,” shtoi një tjetër protestues.
Ndërkohë, Arbër Male, këshilltar i pavarur, i është bashkuar protestës, duke e quajtur arrestimin e Muçollarit një akt të padrejtë dhe politik. “Edhe pse u provokua nga një këshilltar, ai po largohej. Arrestimi i tij është me urdhër politik. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese të lirojnë menjëherë Kevi Muçollarin, përndryshe do të vazhdojmë protestat,” deklaroi Male.
Banorët e Çërravës kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat deri në lirimin e bashkëfshatarit të tyre dhe në anulimin e vendimit për ndërtimin e paneleve diellore në tokat e fshatit.
© BalkanWeb






