Përfundojnë hetimet për incineratorin e Elbasanit.
Prokurori Klodian Braho u ka komunikuar avokatëve të të pandehurve akuzat. Sot avokatët e të pandehurve u njohën me përfundimin e hetimeve. Sipas procedurës pasi u komunikohet mbyllja e hetimeve avokatët duhet të bëjnë pretendimet e tyre brenda afatit 10 ditor dhe më pas dosja shkon në gjykatë dhe është gjyqtari paraprak që do të vendosë” .
Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zoto.
Këto dy të fundit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Me vendimin e 14 dhjetorit 2021 u vendos dhe sekuestroja e incineratorit. SPAK shpjegoi atëherë se Lefter Koka, në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare. Po ashtu ata i kanë dhënë ryshfet ish- Ministrit në mënyrë që ky i fundit të lejonte ndërtimin e inceneratorit.
Pritet që brenda javës të mbyllen dhe hetimet për incineratorin e Fierit.