Ka përfunduar numërimi i votave në selinë e Partisë Demokratike, ku janë zgjedhur 150 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
Mes emrave të zgjedhur ka edhe rikthime në parti të atyre që ishin përjashtuar nga Lulzim Basha, si Myslim Murrizi, Rudina Hajdari, Gent Strazimiri apo Klevis Balliu.
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, u shpreh se PD solli një risi politike, pasi votat u numëruan live, teksa shtoi se 50% e Këshillit Kombëtar janë të ardhur nga FRPD apo LDG.
“Është një risi politike që një parti i numëron votat live. Ju i keni parë që në këtë sallë kanë qenë të vendosura tavolinat e umërimit dhe 5 kamera, ku numërohej live. Çdo person i interesuar mund të ishte i pranishëm. Ka qenë një proces jo i lehtë, pasi fletët ishin me 425 emra, teksa shumë fletë kishin të përzgjedhur edhe 150 anëtarë.
Dua të theksoj faktin se pas një analize që kemi bërë të listës fituese, rezulton që janë 50% e Këshillit Kombëtar të ardhur nga organizatat partnere të PD-së, nga FRPD dhe LDG. Mund të themi që sot PD jo vetëm është më e fortë, siç e konfirmoi Kuvendi i djeshëm, por është edhe më e hapur”, tha vokshi.
Disa nga emrat në Këshillin Kombëtar:
Arben Imami, Aldo Bumçi, Arben Ristani, Ardian Muka, Arvid Bushati, Aulon Kalaja, Avenir Peka, Bislim Ahmetaj, Bledi Kasmi, Bujar Kapexhiu, Çlirim Gjata, Dorian Teliti, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli, Floriana Garo, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Glauk Olldashi, Ilir Alimehmeti, Klevis Balliu, Lisandër Hoxha, Myqerem Tafaj, Myslim Murrizi, Osman Mula, Renis Gjoka, Rudina Hajdari, Voltana Ademi.