Katër kanadezë u ekzekutuan në Kinë për akuza të lidhura me drogën më herët këtë vit, kanë konfirmuar autoritetet kanadeze.

Të gjithë ishin shtetas me shtetësi të dyfishtë, dhe identitetet e tyre nuk u bënë publike, tha ministrja e Jashtme e Kanadasë, Mélanie Joly.

Një zëdhënës i ambasadës kineze në Kanada thuhet se i bëri thirrje Otavës të “ndalojë së bëri komente të papërgjegjshme”, ndërsa analistët frikësohen për një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve pas vitesh tensioni.

Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi të enjten se kishte vepruar “në përputhje me ligjin”, ndërsa ambasada tha se kishte prova “të forta dhe të mjaftueshme” për krimet e tyre.

Pekini kishte “garantuar plotësisht të drejtat dhe interesat e shtetasve kanadezë në fjalë”, tha ambasada, duke i bërë thirrje Kanadasë të respektojë “sovranitetin gjyqësor të Kinës”.

Kina nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë dhe ka një qëndrim të ashpër ndaj krimeve të lidhura me drogën. Megjithatë, ekzekutimi i të huajve është i rrallë.

Joly tha se kishte ndjekur nga afër rastet “për muaj me radhë” dhe kishte tentuar, së bashku me zyrtarë të tjerë, përfshirë ish-kryeministrin Justin Trudeau, të ndalonte ekzekutimet.

Në një deklaratë për mediat kanadeze, zëdhënësja e Global Affairs Canada, Charlotte MacLeod, tha se Kanadaja kishte “bërë thirrje të përsëritura për falje për këta individë në nivelet më të larta dhe mbetet e palëkundur në kundërshtimin e saj ndaj përdorimit të dënimit me vdekje në të gjitha rastet, kudo”.

Kina e zbaton dënimin me vdekje për krime të rënda, përfshirë ato të lidhura me drogën, korrupsionin dhe spiunazhin. Ndërsa numri i ekzekutimeve mbahet sekret, organizatat për të drejtat e njeriut besojnë se Kina ka një nga shkallët më të larta të ekzekutimeve në botë.

“Këto ekzekutime tronditëse dhe çnjerëzore të shtetasve kanadezë nga autoritetet kineze duhet të jenë një thirrje zgjimi për Kanadanë,” tha Ketty Nivyabandi nga Amnesty International Canada. “Ne jemi të shkatërruar për familjet e viktimave dhe i mbajmë në zemër ndërsa përpiqen të përballojnë të paimagjinueshmen.”

“Mendimet tona shkojnë gjithashtu për të dashurit e qytetarëve kanadezë që Kina po mban në radhën e ekzekutimit ose ata që vendndodhja e tyre në sistemin e burgjeve kineze mbetet e panjohur.”

Në vitin 2019, shtetasi kanadez Robert Lloyd Schellenberg u dënua me vdekje në Kinë për kontrabandë droge. Ai nuk ishte ndër kanadezët e ekzekutuar.

“Ne do të vazhdojmë jo vetëm të dënojmë fuqimisht, por edhe të kërkojmë mëshirë për kanadezët e tjerë që përballen me situata të ngjashme,” tha Joly të mërkurën.

Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Kinës kanë qenë të ftohta që nga viti 2018, kur Kanadaja arrestoi një ekzekutive kineze të telekomunikacioneve, Meng Wanzhou, pas një kërkese për ekstradim nga SHBA. Kina arrestoi dy kanadezë menjëherë pas kësaj, të cilët tashmë janë liruar.

Në vitin 2023, mediat kanadeze publikuan raporte, shumica të bazuara në Inteligjenca, mbi pretendime të hollësishme për ndërhyrjen kineze në zgjedhjet federale të vendit. Kina i mohoi raportet, duke i quajtur “të pabaza dhe shpifëse”.

Së fundmi, Kina vendosi tarifa hakmarrëse për disa importe bujqësore dhe ushqimore kanadeze pasi Otava vendosi tarifa mbi automjetet elektrike, çelikun dhe aluminin kinez.