“Larg banditët duart nga deputetët”, kjo ka qenë thirrja e ish-kryeministrit Sali Berisha në një kohë kur gardistët po përleshen me deputetët opozitarë të cilët kanë zënë vendet e ministrave.
Tensione të forta janë regjistruar në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozitarët kanë vendosur që të bllokojnë këtë seancë. Klevis Balliu me “shokë” kanë zënë vendet e ministrave, në një kohë kur kryetari i Kuvendit Niko Peleshi është duke vijuar me rendin e ditës.Ai ka thërritur Endrit Shabanin që të kryejë betimin e tij. Pavarësisht thirrjeve të opozitarëve “Turp, turp, dil përjashta”, Shabani është betuar si Avokati i Popullit me “bekimin” dhe duartrokitjet e socialistëve.
Në një moment të seancës deputeti demokrat Belind Këlliçi ka ndezur një flakadan në ngjyrë blu, ndërkohë që kolegët e tij i janë mbledhur rrotull për ta mbrojtur në një kohë kur Garda ka tentuar që t’ia marrë nga dora. Pas këtyre tensioneve Peleshi është detyruar që të ndërpresë seancën.






