Me ndryshimin e klimës, moti në Evropë po bëhet më ekstrem. Çfarë mund të sjellë kjo verë për sa i përket valëve të të nxehtit, thatësirës, përmbytjeve, zjarreve në pyje?
Perspektiva e përgjithshme është pesimiste siç e kemi parë tashmë këtë dimër dhe pranverë. Sipas një raporti të motit ekstrem të Agjencisë Evropiane të Mjedisit të botuar pak ditë më parë, shpjegohen sfidat kryesore klimatike të lidhura me motin me të cilat përballemi këtë verë.
Përmbytje të mëdha, stuhi të forta, valë të nxehta rekord, moti ekstrem është në rritje për shkak të ndryshimeve klimatike. Kjo po prek njerëzit, ekosistemet dhe ekonomitë në mbarë botën.
Temperaturat ekstreme jo vetëm që ndikojnë në shëndetin e grupeve vulnerabël por gjithashtu shkaktojnë shqetësime për të gjithë. Lumenjtë dhe liqenet po thahen, duke ndikuar në të gjithë jetën e varur prej tyre. Tokat po thahen gjithashtu, duke rritur rreziqet nga zjarri dhe duke ulur produktivitetin bujqësor. Pjesë të tjera të Evropës po përjetojnë rrebeshe intensive, ndonjëherë duke përmbytur ndërtesa dhe duke dëmtuar pronën dhe infrastrukturën brenda pak minutash. Zonat bregdetare do të jenë në rrezik nga stuhitë më të shpeshta, duke rezultuar gjithashtu në përmbytje të ndërtesave ose tokave bujqësore”, thuhet në raport.
Moti ekstrem pasohet dhe me një faturë financiare. Referuar analizës së publikuar në raportin e Agjencisë Evropiane të Mjedisit nëse vendet Evropiane nuk marrin masa, humbjet në ekonomi do të vijnë duke u rritur. Panorama që paraqitet në raport është vërtet pesimiste.
Ndërmjet viteve 1980 dhe 2021, ekstremet e lidhura me motin dhe klimën shkaktuan humbje ekonomike të vlerësuara në 560 miliardë euro në Shtetet Anëtare të BE-së, nga të cilat 56.6 miliardë euro vetëm në vitin 2021. Analizimi i tendencave në humbjet ekonomike është i vështirë, pjesërisht për shkak të ndryshueshmërisë së lartë të motit nga viti në vit. Megjithatë, disa analiza statistikore kanë zbuluar se humbjet ekonomike rriten me kalimin e kohës. Ndërsa ngjarjet e rënda ekstreme të lidhura me motin dhe klimën pritet të intensifikohen më tej, duket e pamundur që humbjet ekonomike të lidhura të zvogëlohen deri në vitin 2030”.
Në 40 vitet e fundit, moti ekstrem ka qenë përgjegjës për:
-85,000 deri në 145,000 vdekje njerëzore në të gjithë Evropën, gjatë 40 viteve të fundit. Mbi 85% e viktimave ishin për shkak të valëve të të nxehtit.
-Humbjet ekonomike nga moti dhe ekstremet e lidhura me klimën në Evropë arritën rreth gjysmë trilion euro gjatë së njëjtës periudhë dhe mesatarisht po rriten çdo vit me mbi 2%.
Perspektiva: Çfarë mund të sjellë kjo verë?
Valët e të nxehtit që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, si valët e të nxehtit të verës së vitit 2022, po bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë në të gjithë skenarët klimatikë edhe këtë verë.
Në Evropën Jugore, veçanërisht, mund të ketë më shumë se 60 ditë vere gjatë të cilave kushtet janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, që do të thotë një numër më i madh i vdekjeve dhe shtrimeve në spital, veçanërisht në mesin e të moshuarve dhe të sëmurëve.
Reshje të mëdha parashikohen të rriten në pjesën më të madhe të Evropës, duke çuar në rritjen e incidencës së përmbytje, veçanërisht në Evropën veriperëndimore dhe qendrore. Duhen marrë masa për të mos u përsëritur skenari i përmbytjeve të korrikut 2021 në Gjermani dhe Belgjikë .
Top Channel