Bashkia e Tiranës ka vendosur të ndihmojë Italinë, për të përballuar situatën e përmbytjeve. Me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, janë akorduar 100 mijë euro ndihmë për lehtësimin e pasojave dhe dëmeve të shkaktura nga përmbytjet masive me të cilat u përball Rajoni i Emilia Romagnas, përgjatë ditëve të fundit.
Rajoni i Emilia Romagnas në Itali u godit nga përmbytjet katastrofike gjatë muajit maj. Si pasojë e përmbytjeve 14 persona fatkeqësisht humbën jetën, ndërkohë qindra të tjerë u detyruan që të evakuoheshin nga banesat e tyre. Sipas llogaritjeve të deritanishme dëmet nga përmbytjet në Itali përllogariten deri në 5 miliardë euro.
Qeveria italiane ka ndarë 1oo milionë euro për zonat e prekura nga përmbytjet, ndërkohë në një deklaratë më herët kryeministrja Giorgia Meloni, tha gjithashtu se nëse do të jetë e nevojshme do të kërkojnë ndihmë dhe fonde nga BE.
“Mbështetja e Unionit mund të jetë shumë e rëndësishme në këtë fazë. Në javët e ardhshme, pasi të kemi bërë vlerësimin e përgjithshëm të dëmeve nga përmbytjet, do të kërkojmë aktivizimin e fondit të solidaritetit, i cili fatkeqësisht Italisë i është dashur të hyjë edhe herë të tjera”, tha ajo.