Prej gati dy ditësh Shqipëria po përballet me reshje intensive shiu, ndërsa shumë qarqe ndodhen nën ujë. Teksa dje përgjatë gjithë ditës Durrësi u përball me përmbytje masive, situata u bë dramatike nga pasditja dhe darka për Gjirokastrën.
Mes shirave të rrëmbyeshëm, shumë zona u pushtuan nga uji, 900 banesa u përmbytën në Durrës (dhe të tjera në zona të tjera të Shqipërisë), familje që evakuuan dhe rrugë që u mbyllën.Situata ngelet dramatike në Durrës, ku zona e ish-Kënetës ndodhet thuajse e gjitha nën ujë. Bllokimi i kolektorëve dhe kanaleve shkarkuese bëri që uji të vërshojë rrugëve të qytetit bregdetar, ndërsa kjo zonë u kthye sërish në Kënetë.
Përmbytjeve nuk i shpëtoi as burgu i Durrësit, ku kati i tij i parë u përfshi nga uji. Sakaq, probleme janë shkaktuar dhe në Vlorë, apo dhe Shkodër, Kukës, apo Belsh. Po ashtu, nga reshjet intensive dëme të mëdha pati në Gjirokastër, ku rrugët janë ‘pushtuar’ nga inertet dhe gurët, ndërsa shumë biznese kanë pësuar dëme materiale, pasi uji është futur brenda dyqaneve.






