Pak javë pas përmbytjeve, në Vlorë po shemben ndërtimet pa leje të cilat kanë bllokuar kanalet e ujërave të larta. Në aksion është përfshirë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ndërsa kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha thotë se ndërhyrja do të vijojë kudo ku ka abuzim
“Aty ku është abuzuar ndër vite me ndërtime me apo pa leje, apo jo sipas procedurave që kanë ligjet sa i përket urbanistikës, ne po i shikojmë me shumë vëmendje dhe do të fillojmë të ndërhyjmë, patjetër duke zbatuar edhe ligjet në fuqi. Po aty ku ne mundemi do fillojmë të bëjmë një prishje sepse realisht ndihmon edhe ato projekte që kemi në vazhdim”, tha kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Aksioni u ndoq edhe nga drejtuesi politik i PS në Vlorë, Bledi Çuçi.
“Kanali ka qenë krejtësisht i bllokuar dhe ky ka qenë një shkaqet që ka sjellë edhe rëndimin e situatës sepse padiskutim me atë intensitet shirash sigurisht që mund të ishte e pa përballueshme, por situata u rëndua shumë edhe në sajë të bllokimit të kanalit kryesor nga ndërtimet pa leje. Kjo situatë duhet të marrë fund”, u shpreh Çuçi.
Qyteti i Vlorës u përmbyt në 4 Tetor ku për shkak të reshjeve me intensitet uji vërshoi në banesa e biznese duke shkaktuar dëme të shumta.
Klan News