Në qytetin e Përmetit u përurua përmendorja e mjeshtrit të klarinetës, Laver Bariu, një nga figurat më të ndritura të muzikës popullore shqiptare.
Ceremonia mblodhi personalitete të jetës artistike, përfaqësues të institucioneve vendore si dhe qytetarë të shumtë. Përmendorja është vepër e skulptorit Alen Toska dhe u realizua pas një pune disa mujore.
“Unë jam skulptori i veprës së Laver Bariut. Ka qenë një projekt që zgjati rreth shtatë muaj. Nuk ishte një projekt i lehtë. Nga ana kompozicionale, ishte mjaft sfidues – të realizosh një figurë të ulur, me shprehje të fytyrës dhe lëvizje të duarve, kërkon shumë punë e përkushtim. Mendoj se e kam arritur qëllimin”, tha skulptori Alen Toska.
I lindur në Përmet, Laver Bariu tregoi që herët një prirje të rrallë për muzikën dhe krijimin e instrumenteve popullore. Në vitet ’50 ai themeloi Sazet e Përmetit, me të cilat përfaqësoi denjësisht Shqipërinë brenda dhe jashtë vendit. Repertori i tij i pasur përfshin këngë, kaba dhe valle që u bënë identitet muzikor për Toskërinë.
“Jemi mbledhur për të nderuar një figurë që i dha emër, dinjitet dhe melodi këtij qyteti ,mjeshtrin e paharruar të klarinetës, virtuozin Laver Bariu. Kjo shtatore që përurojmë sot është më shumë se një figurë në bronx ,është një shenjë mirënjohjeje për një njeri që i dha emër këtij qyteti dhe lanë gjurmë të pashlyeshme”, tha Alma Hoxha, kryetarja e bashkisë së Përmetit.
“Falënderoj të gjithë ata që e sollën babain tim sërish mes nesh, këtë herë në formën e një skulpture. Jemi të nderuar si familje dhe i uroj skulptorit të bëhet po aq i njohur sa vepra që ka realizuar”, u shpreh e e bija e Laver Bariut.
Laver Bariu nuk ishte thjesht një mjeshtër i klarinetës, ai ishte një shpirt i rrallë i muzikës popullore shqiptare, një udhërrëfyes i traditës dhe një formues i identitetit muzikor të Jugut. Me themelimin dhe drejtimin e Sazeve të Përmetit, ai jo vetëm që përcolli tingujt e zemrës përmes gërnetës, por krijoi një shkollë interpretimi që u bë udhë për breza të tërë.
Përmendorja e tij, tashmë e vendosur në një nga hapësirat publike më të rëndësishme të qytetit që e lindi, nuk është vetëm një nderim simbolik, është një rikthim i figurës së tij aty ku i përket, në zemrën e Përmetit dhe në kujtesën kulturore të të gjithë Shqipërisë.