
Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në përpjekjen e dhjetë për të konstituar përbërjen e re të dalë nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit.
Në prag të nisjes së vazhdimit të seancës konstituive më 3 maj, përfaqësuesit e partive politike u shprehën se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet sa i përket votimit të kreut të ri të Kuvendit.
Para përpjekjes paraprake, më 1 maj, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.
Po atë ditë, deputetët u mblodhën, por kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga LVV-ja kërkoi që të krijohet një komision për votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Por, PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzuan të propozonin ndonjë deputet për këtë komision dhe seanca u ndërpre.
Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë ka nisur më 15 prill dhe deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e tyre, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.
