Kryeministri britanik ka thënë se takimi i sotëm me liderët botërorë do të fokusohet në një plan paqeje që evropianët do t’i paraqesin SHBA-së. Ndiqni më poshtë zhvillimet e fundit të samitit.Dhjetëra liderë botërorë janë mbledhur sot në Londër për të diskutuar planet e përbashkëta për mbrojtjen dhe sigurinë, ndërsa mbështetja ushtarake amerikane ndaj Ukrainës është vënë në pikëpyetje pas përplasjes së paprecedentë Trump-Zelensky në Zyrën Ovale.
Krerët e shteteve të Europës, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, dhe shefin e NATO-s, Mark Rutte, iu bashkohen liderëve nga Kanadaja dhe Turqia.
Shefja e BE, Ursula von der Leyen mbërrin në samit
Samiti i Londrës merr një tjetër rëndësi pas zhvillimeve të fundit, ndërsa europianët kërkojnë garanci sigurie, si për shembull mbrojtje ajrore nga Uashingtoni, si pjesë e marrëveshjes së paqes që po diskutohet për t’i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë.
Keir Starmer mirpret në samit Emmanuel Macron
Kryeministri britanik foli përpara samitit dhe tha se përpjekjet e tij kanë për qëllim rikthimin e fokusit në atë që është e rëndësishme, ndërsa komentoi dhe konfrontimin në Uashington.
“Askush nuk donte ta shihte atë që ndodhi. Megjithatë, fokusi duhet të jetë në një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, e cila është thelbësore për sigurinë e Europës. Qëllimi është të kapërcejmë tensionet dhe ta kthejmë të gjithë këtë në fokusin qëndror të mbështetjes së Ukrainës dhe ndalimin afatgjatë të luftimeve.”, tha Keir Starmer, Kryeministër i Britanisë së Madhe.
Kreyeministri polak, Donald Tusk me Starmer
Starmer tha më tej se nuk i beson presidentit rus Vladimir Putin.
Pas shfaqjes historike në Shtëpinë e Bardhë, me Zelenskyn përballë Donald Trump dhe zëvendësit të tij JD Vance, liderët europianë mbështetën në unison liderin ukrainas, por këmbëngulin gjithashtu që raporti Kiev-Uashington duhet t’i rikthehet normalitetit dhe marrëveshja e mineraleve duhet të nënshkruhet.
Një rol për këtë pritet të luajë Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Zelenskyn përpara samitit. Meloni ka qenë mbështetëse e fortë e Ukrainës dhe, në të njëjtën kohë, ruan raporte të shkëlqyera me presidentin amerikan Trump.
Starmer pret në takim kryeministren italiane Giorgia Meloni
Kryeministrja italiane sapo ka mbërritur në Downing Street, zhvilloi një takim dypalësh me Sir Keir Starmer.
Meloni u përshëndet ngrohtësisht nga Starmer në derën e numrit 10, përpara se të dy liderët të bënin foto dhe të shkonin brenda për bisedime.
Starmer tha se “mezi pret me padurim mundësinë për të folur me ju për çështjet e rëndësishme me të cilat përballemi”.
“Ne kemi një mentalitet shumë të ngjashëm, kështu që mezi pres të dëgjoj pikëpamjen tuaj për këto çështje.”, tha shefi i qeverisë britanike.
Ndërkohë Meloni falënderoi Starmerin për mbledhjen e samitit të sotëm.
“Unë mendoj se është shumë, shumë e rëndësishme që ne të shmangim rrezikun e ndarjes së Perëndimit. Unë mendoj se për këtë, MB dhe Italia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave.”
Ajo shton se nëse Perëndimi ndahet, do të “na bëjë të gjithëve më të dobët”./ Pamfleti
