Kryebashkiaku theksoi se pasi u informua mbi situatën, i riktheu kompetencat Anuela Ristanit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar nga qelia lidhur me lajmet për përplasjen e tij me kryeministrin Edi Rama, sa i takon delegimit të kompetencave të kryetarit të Bashkisë.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Veliaj deklaroi se e gjitha ishte një keqkuptimin nga mungesa e informacionit në qeli.
Vealiaj pretendon se ai kishte krijuar idenë se ishte dakordësuar për emrin që ai kishte firmosur, gjë që nuk ka rezultuar e tillë. Veliaj tha se marrëdhënia e tij me Ramën është e mirë. Kryebashkiaku gjithashtu theksoi se pasi u informua mbi situatën, i ka rikthyer kompetencat Anuela Ristanit.
“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”, shkruan Veliaj.
