Gjatë një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme dëgjoi vijimin e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, në çështjen “Plumbi i artë”.
Dumani iu përgjigj pyetjeve të avokatëve të të bashkëpandehurve në një seancë që u shoqërua me përplasje të forta mes tyre. Të pandehurit pretenduan se thëniet e të penduarit nuk qëndrojnë dhe nuk kanë bazë provueshmërie, shkruan A2 CNN.
Një nga të pandehurit Gentjan Sharra ka theksuar se në kohën kur e implikon Dumani ai ka patur biznese, ka marrë tendera 2 milionë euro, ka poseduar një automjet 50 mijë euro dhe pse duhet të kishte nevojë të merrte pjesë në një grabitje për të përfituar disa mijëra euro, të cilat do të ndaheshin.
Ndërsa Petrit Qoli pretendoi se prej 3 vitesh mbahet i arrestuar nga deklarimet e Dumanit dhe ka lënë jashtë një grua që e dashuron.
Ndërkohë, Enver Diva i ka kërkuar gjykatës që pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, që po kontestohet qoftë nga të arrestuarit, por edhe nga avokatët, që gazetarët të lejohen në sallë për të pasqyruar versionin e tyre. (A2 Televizion)